Përurohet rruga “Hysiqi” në Shtime, investim 350 mijë euro që lidh lagjen me Davidocin dhe tranzitin

Të premten është përuruar rruga “Hysiqi” në Komunën e Shtimes, një projekt infrastrukturor me vlerë 350 mijë euro, i cili lidh lagjen Hysiqi me fshatin Davidoc dhe tranzitin e qytetit.

Në ceremoninë e prerjes së shiritit morën pjesë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe banorë të zonës.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se investimet infrastrukturore po shtrihen në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë edhe zonat rurale, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillim ekonomik dhe rritjen e vlerës së tokës.

Sipas tij, rruga e re ka gjatësi 1.3 kilometra, gjerësi 4 metra dhe është e pajisur me sinjalizim modern. Ai theksoi se ky projekt është pjesë e investimeve më të gjera në komunën e Shtimes, që kapin vlerën rreth 1 milion euro.

Edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se rruga ishte e domosdoshme për funksionalizimin e pronave dhe zhvillimin e kësaj zone, duke shtuar se ajo lidh një nga lagjet më të vjetra të komunës me fshatin Davidoc dhe tranzitin e qytetit.

Sipas tij, projekti është pjesë e investimeve infrastrukturore që po realizohen me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

Banorët e zonës e kanë mirëpritur përurimin e rrugës, duke e cilësuar si një investim të rëndësishëm që u lehtëson qarkullimin dhe shkurton kohën e udhëtimit drejt Lipjanit dhe Ferizajt.

Ata theksuan se rruga e re ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës dhe lidhjen me qytetet përreth, duke e bërë zonën më të qasshme dhe më të zhvilluar.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU