Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u mbajt sot edicioni i 25-të i Turneut Ndërkombëtar të Karatesë “Xhevat Makolli”, i cili mbahet në përkujtim të jetës dhe veprës së çmuar të tij.
Ky turne tradicional mlodhi rreth 400 garues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke përfshirë të gjitha grupmoshat nga fëmijët e deri te seniorët. Pjesëmarrja e gjerë dhe niveli i lartë i garuesve dëshmuan për zhvillimin e vazhdueshëm të sportit të karatesë në rajon.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, duke folur për KosovaPress theksoi rëndësinë e këtij turneu për zhvillimin e sportit dhe për nxitjen e të rinjve që të merren me aktivitete sportive. Ai vlerësoi traditën e gjatë të organizimit dhe shprehu synimin që në vitet e ardhshme turneu të zgjerohet edhe më shumë në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë shtete të tjera evropiane.
Gashi: Kemi pjesëmarrjen nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova
Video: 00:18
“Turneu Ndërkombëtar “Xhevat Makolli” është një ndër turnetë më të gjatë që ne si federatë e organizojmë dhe është i 25-ti me radhë. Sot kemi pjesëmarrjen nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Janë tre shtete pjesëmarrëse në këtë turne. Dhe është një pjesëmarrje shumë e mirë në turne, diku 400 garues do të vijnë nga këto vende. Janë garues të rinj dhe do të kemi pjesëmarrje të të gjitha gjeneratave. Do të thotë, nga fëmijët, nxënësit e rinj deri tek seniorët. Kështu që, jemi të kënaqur edhe me pjesëmarrjen, edhe me kualitetin që do të vijnë këtu sot”, deklaroi Gashi.
Në emër të Komunës së Prishtinës, drejtori i Drejtorisë së Sportit, Granit Geci, uroi organizatorët për jubileun e 25-të dhe theksoi rëndësinë e trashëgimisë së figurës së Xhevat Makollit , si një personalitet i shquar i sportit dhe kontributdhënës për vendin. Ai ritheksoi përkushtimin institucional për mbështetjen e aktiviteteve sportive që ndikojnë në mirëqenien dhe edukimin e të rinjëve.
Geci: Si Drejtori e Sportit mbesim të përkushtuar që të mbështesim aktivitete
Video: 02:58…
“Ne si gjeneratë e re jemi të obliguar që të vazhdojmë trashëgiminë edhe të Xhevat Makollit, mirëpo edhe të shumë emrave të tjerë që bënë shumë edhe për sportin, mirëpo edhe për lëvizjen tonë për çlirim dhe për pavarësi. Si Drejtori e Sportit mbesim të përkushtuar që të mbështesim aktivitete të tilla sportive, dhe jo vetëm të karatesë, por çdo aktivitet i cili largon gjeneratën e re nga rruga dhe e ofron me sportin dhe me shëndetin”, tha Geci.
Turneu u shpall zyrtarisht i hapur nga Fatmir Makolli, vëllai i të ndjerit Xhevat Makolli, i cili falënderoi pjesëmarrësit, prindërit dhe klubet për kontributin e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave dhe traditës së këtij aktiviteti.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje për familjen Makolli, përfaqësues të institucioneve dhe figura që kanë kontribuar në zhvillimin e karatesë dhe organizimin e këtij turneu.
Turneu “Xhevat Makolli” vazhdon të mbetet një platformë e rëndësishme për zhvillimin e sportit të karatesë në Kosovë dhe rajon, duke promovuar garën e ndershme, disiplinën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
KosovaPress


