AP: Ushtarët izraelitë vrasin një foshnjë palestineze 7-muajshe

Trupat izraelite kanë shtënë me armë zjarri ndaj një veture në Bregun Perëndimor, duke vrarë një foshnjë 7-muajshe dhe plagosur prindërit e saj, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë, të shtunën, raporton AP, përcjellë KosovaPrees.

Sipas kësaj agjencie, plumbi goditi foshnjën në fytyrë.

Ushtria izraelite tha se ushtarët hapën zjarr ndaj një automjeti që sipas tyre po përshpejtonte në drejtim të tyre pranë Hebronit.

Babai i foshnjës, palestinezi Fahd Abu Haikal, ligjërues në Universitetin e Betlehemit, i tha agjencisë Associated Press se një plumb depërtoi përmes xhamit të përparmë të veturës, i goditi dorën e djathtë dhe më pas preku foshnjën dhe bashkëshorten e tij, e cila ndodhej në ulësen e pasme. Një plumb tjetër, goditi kapakun e motorit, sipas gazetarëve të AP-së që panë automjetin.

“Ai ishte e gjithë bota jonë”, tha babai për djalin, i cili kishte mbushur shtatë muaj të premten.

Nëna e foshnjës raportohet se ndodhet në gjendje kritike, pasi copëza të predhës depërtuan afër zemrës së saj.

Babai kërkoi drejtësi për vrasjen e djalit të tij.

“Në fund të thonë se ishte një gabim”, tha ai.

Edhe gjyshja e foshnjës, Feryal Abu Haikal, ndodhej në veturë në momentin e sulmit. Ajo tha se familja po lëvizte pranë një pike kontrolli dhe kishte ndaluar pasi kishte parë automjete izraelite dhe ushtarë në distancë. Fillimisht, ajo mendoi se të shtënat ishin paralajmëruese.

“Ishte një skenë e tmerrshme të shihje një foshnjë 7-muajshe me fytyrën e shkatërruar”, tha ajo. “Çfarë lloj ushtrie në botë e bën një gjë të tillë?”.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU