Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë bërë të ditur se janë duke trajtuar një sërë rastesh që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme që synojnë ndikimin në vullnetin e lirë të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në njoftim thuhet se ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Po ashtu, më 4 qershor 2026, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin”, thuhet në komunikatë.
Policia dhe Prokuroria vlerësuan se këto raste dëshmojnë ekzistimin e përpjekjeve për të ndikuar në procesin zgjedhor, por edhe vendosmërinë e institucioneve për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.
“Institucionet relevante janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026”, thuhet në komunikatë
Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe pa presion.
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u kanë bërë thirrje qytetarëve, pa dallim etnie, gjuhe apo bindjeje politike, që të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit ose ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor.


