Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur pas votimit lidhur me procesin zgjedhor në vend, por edhe për ndeshjen miqësore që Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte ndaj Andorrës.
Duke komentuar faktin se dita e zgjedhjeve përkon me zhvillimin e ndeshjes së Kosovës, Ademi tha se procesi zgjedhor pritet të ndikojë edhe në shikueshmërinë e takimit, teksa shprehu dëshirën që rezultatet preliminare të publikohen sa më herët.
Ademi: Procesi zgjedhor do të ketë ndikim në shikueshmërinë e ndeshjes Kosovë–Andorrë
VIDEO:
“Po, sigurisht që do të ketë ndikim. Uroj që t’i dimë rezultatet e përafërta ose preliminare sa më herët, në mënyrë që të kenë edhe qytetarët mundësinë t’i ndjekin të dyja gjërat, edhe zgjedhjet, edhe ndeshjen e sotme”, tha Ademi.
I pari i FFK-së foli edhe për pritjet e tij nga Kombëtarja e Kosovës, duke vlerësuar se ndeshja me Andorrën do të shërbejë si test i mirë për futbollistët e rinj të ftuar së fundmi nga përzgjedhësi Franco Foda.
Ademi: Gjithmonë pres rezultate të mira nga Kosova
VIDEO:
“Po, sigurisht, kjo është një lojë kontrolluese. Kemi shumë futbollistë të rinj, të cilët e keni parë vetë që Foda i ka ftuar dhe tashmë janë pjesë e Kombëtares. Të shohim si do të bëhet ndërrimi i gjeneratave me këta lojtarë të rinj dhe unë jam optimist, gjithmonë pres rezultate të mira”, u shpreh Ademi.
KosovaPress


