Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se gjatë dhjetë ditëve të fushatës janë mbajtur mijëra aktivitete, tubime dhe takime në të gjithë territorin e Kosovës.
Përmes një postimi, Kurti u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve që, sipas tij, i pritën krahëhapur dhe ndanë përvojat, shqetësimet dhe nevojat e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
“Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se puna do të vazhdojë edhe më tej në shërbim të qytetarëve, duke përsëritur moton e Lëvizjes Vetëvendosje: “Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtetin, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt.”
Në fund, Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.


