Vjosa Osmani u është drejtuar qytetarëve me një letër falënderuese pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen, votat dhe besimin e dhënë gjatë fushatës.
Në mesazhin e saj, Osmani falënderoi qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për përkrahjen e treguar gjatë javëve dhe muajve të fundit.
Ajo theksoi se gjatë fushatës ka pasur mundësinë të takojë mijëra qytetarë në mbarë vendin, duke dëgjuar shqetësimet, ëndrrat dhe shpresat e tyre për një Kosovë më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar.
Osmani vlerësoi veçanërisht kontributin e të rinjve, grave, mërgatës dhe të gjithë qytetarëve që morën pjesë në votime, duke e cilësuar besimin e tyre në demokraci si një forcë të rëndësishme për vendin.
“Ndihemi mirënjohës për secilin prej jush që besoi se politika mund të jetë dinjitoze, se debati mund të jetë i civilizuar dhe se e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlera, dije dhe përgjegjësi”, thuhet në mesazhin e saj.
Duke folur për rezultatin zgjedhor, Osmani theksoi se ai nuk përbën fundin e një gare politike, por vazhdimin e një misioni për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, ndershmëri dhe respekt ndaj çdo qytetari.
Ajo ritheksoi se pjesëmarrja e saj në zgjedhje kishte për qëllim të ndihmonte në ringritjen e LDK-së dhe në krijimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke nënvizuar se emri i saj nuk ka qenë dhe nuk do të bëhet pengesë për formimin e tyre.
“Kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve që mbrojnë shtetin, demokracinë, Kushtetutën dhe aleancat”, theksoi Osmani në fund të mesazhit të saj.
“Rruga vazhdon. Bashkë”, përfundon letra falënderuese e saj. 🤍


