Ajo që nisi si një përleshje mes shtetasve të huaj në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, përfundoi duke ngritur dyshime serioze edhe për mënyrën se si disa prej tyre po qëndronin në Kosovë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 04:00, Policia ka ndërhyrë në rrugën “Lidhja e Pejës”, pas raportimit për një rrahje në progres.
Në vendngjarje janë gjetur tre shtetas të huaj: Jimmy Alex Westling (28 vjeç), shtetas suedez, Robel Huruy (22 vjeç), shtetas suedez, dhe Philip Francis Lea (32 vjeç), shtetas britanik.
Sipas hetimeve fillestare, suedezi Jimmy Westling ka pësuar lëndime dhe ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa britaniku Philip Lea është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Robel Huruy është marrë në pyetje si dëshmitar.
Por surpriza erdhi gjatë verifikimit të të dhënave të tyre.
Autoritetet kanë konstatuar se Jimmy Westling kishte hyrë në Kosovë në shtator të vitit të kaluar dhe nuk figuron të ketë dalë më nga territori i vendit. Edhe britaniku rezulton pa evidencë daljeje pas hyrjes së tij në muajin maj.
Ndërkohë, rasti më i pazakontë ishte ai i suedezit tjetër, Robel Huruy, i cili, sipas evidencave zyrtare, nuk figuron fare se ka hyrë apo dalë ndonjëherë nga Republika e Kosovës.
Pas këtyre gjetjeve, në rast janë përfshirë edhe autoritetet e Migrimit, të cilat kanë urdhëruar sekuestrimin e pasaportave të Jimmy Westling dhe Robel Huruy, si dhe paraqitjen e tyre në zyrat kompetente për procedura të mëtejshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa shtetasi britanik është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.


