Ngushtica e Hormuzit mund të mos kthehet në normalitet deri në fund të vitit, thotë eksperti i transportit detar

Një ekspert i çështjeve detare ka paralajmëruar se mund të duhet deri në fund të vitit që aktiviteti në Ngushticën e Hormuzit të kthehet në normalitet, shkruan CNN.

“Po flasim për njëfarë rikthimi në normalitet… ndoshta jo deri në fund të vitit, e jo deri në fund të javës”, tha Richard Meade, redaktor i kompanisë së lajmeve detare Lloyd’s List.

“Mendoj se po flitet me shumë entuziazëm për afatet kohore”, i tha ai Becky Anderson të CNN-it në emisionin Connect The World.

Irani ka thënë se do t’i heqë minat e vendosura në Ngushticën e Hormuzit për të lejuar kalimin e anijeve. Por Meade tha se operacionet e deminimit “mund të zgjasin një kohë të konsiderueshme, varësisht nga ajo që gjendet dhe nga ajo që provohet se ndodhet atje”.

Sfida nuk është vetëm nxjerrja e cisternave të naftës, por edhe sjellja e cisternave bosh për t’i zhbllokuar rezervat e grumbulluara, shtoi ai.

Marrëveshja mes Iranit dhe SHBA-së përcakton kushtet e armëpushimit mes këtyre rivalëve të ashpër, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një lehtësim të caktuar financiar për Iranin dhe ritheksimin nga Teherani se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore, sipas një kopjeje të draftit të tekstit të siguruar nga CNN.

Më e habitshmja është se memorandumi nuk e përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë Ngushticën e Hormuzit. Në vend të kësaj, ai i referohet trafikut detar “nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit” – rrugët ujore në të dy anët e ngushticës.

Arsyeja e këtij mosreferimi është e paqartë dhe dokumenti gjithashtu nuk e trajton drejtpërdrejt statusin e ardhshëm të Ngushticës, duke thënë vetëm se trafiku i anijeve do të kthehet në nivelet e para luftës brenda 30 ditëve.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU