Rama thirrje protestuesve: Unë jam miku, jo armiku yt

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të marte lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë dhe që ka hyrë në ditën e saj të 24-të.

Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale dhe një fotografie të një protestuesi, kreu i qeverisë iu drejtua protestuesve me një mesazh reflektues, duke deklaruar se nuk i sheh ata si humbës të një proteste, por si qytetarë që kanë mbetur besnikë ndaj bindjeve të tyre dhe shqetësimeve që mbartin.

Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij”, shkruan Rama në nisje të mesazhit, duke theksuar se shumë prej pjesëmarrësve mund të jenë motivuar nga shqetësime reale për mjedisin, ekonominë, pronën, shëndetësinë apo padrejtësitë sociale.

Kryeministri shprehet se e kupton zemërimin e qytetarëve dhe problemet me të cilat përballen, duke u ndalur te rastet e punëdhënësve që shkelin të drejtat e punonjësve, burokracia shtetërore apo vështirësitë ekonomike dhe sociale.

Në reagimin e tij, Rama akuzon figura politike, komentatorë, influencerë dhe aktorë të tjerë publikë se kanë përdorur protestuesit për interesat e tyre, duke i nxitur dhe më pas duke i lënë të vetëm.

Sipas tij, ata që e paraqitën protestën si një revoltë popullore kundër qeverisë, sot nuk ndodhen më pranë protestuesve, ndërsa përfitimet e tyre politike, mediatike apo personale mbeten të paprekura.

Kreu i qeverisë kritikon gjithashtu atë që e quan ndikim të algoritmeve të rrjeteve sociale, profileve të rreme dhe fushatave digjitale, duke argumentuar se zemërimi publik shpesh përdoret për të krijuar perceptime të rreme dhe për të manipuluar opinionin.

Në një pjesë të mesazhit, Rama ndalet edhe te përgjegjësitë brenda administratës shtetërore, duke pranuar se ka raste kur zyrtarë apo vartës të institucioneve shpërdorojnë besimin, sillen keq me qytetarët apo kërkojnë favore dhe përfitime të paligjshme.

“Shpesh më ndodh edhe mua të kem zgjime të zbrazëta me të njëjtën shije”, shkruan ai, duke bërë një paralelizëm mes ndjenjës së zhgënjimit të protestuesve dhe përvojave të tij në drejtimin e qeverisë.

Ai shprehet se është i gatshëm të dëgjojë kritikat e tyre dhe se respekton të drejtën e çdo qytetari për ta konsideruar kundërshtar politik.

“Pyete vetë veten nëse armiku yt jam unë”, shkruan Rama, ndërsa e mbyll reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar protestuesve: “Unë jam miku, jo armiku yt”.

Reagimi i kryeministrit vjen në ditën e 24-t të protestës në Tiranë, e cila ka vijuar me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe debate të forta politike mbi kërkesat dhe qëllimet e saj.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU