Përplasja e Skocisë në Grupin C kundër Brazilit rrezikon të bëhet ndeshja e dytë e Kupës së Botës këtë javë që pëson një vonesë të madhe.
Skuadra e Steve Clarke do të përballet me Brazilin në orën 00:00 me kohën tonë, duke e ditur se një pikë do të mjaftonte për të siguruar kualifikimin në fazën e 1/16-ave si një nga tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë.
Ata mund të kalojnë tutje edhe me humbje, por kjo varet nga rezultatet përfundimtare dhe nga krahasimi i golaverazhit të tyre me ekipet e tjera të renditura të tretat.
Java e parë e Kupës së Botës kaloi pa probleme sa i përket kushteve atmosferike, edhe pse qershori dhe korriku konsiderohen si periudha kulmore e përmbytjeve të menjëhershme në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, ndeshja e Grupit I mes Francës dhe Irakut të hënën u ndërpre për rreth dy orë pas përfundimit të pjesës së parë për shkak të goditjeve të rrufesë pranë stadiumit në Filadelfia.
Ndeshja rifilloi rreth orës 02:00 – pasi kishte nisur tre orë më herët – dhe Franca fitoi përfundimisht me rezultatin 4-0.
Sasi të konsiderueshme reshjesh goditën gjithashtu New Jerseyn gjatë fitores 3-2 të Norvegjisë ndaj Senegalit, por ndeshja u zhvillua pa incidente.
Tani, Miami pritet të përballet me mot të paqëndrueshëm të mërkurën, gjë që mund të shkaktojë probleme serioze për planet e ndeshjes Skoci – Brazil.
Në të gjithë shtetin e Floridës është lëshuar një paralajmërim i nivelit mesatar për temperatura të larta, ndërsa sipas “AccuWeather” ekziston mundësia që një stuhi me bubullima të godasë rajonin e Miamit në orën 17:00 sipas kohës lokale, me 51 për qind gjasa për reshje. Ndeshja Skoci-Brazil nis në orën 18:00, sipas kohës lokale.
Nëse e ndoqët nga afër atë që ndodhi gjatë ndeshjes Francë – Irak të hënën në mbrëmje, me siguri keni dëgjuar për masat e sigurisë që zbatohen në Kupën e Botës në rast stuhish me bubullima.
Këto protokolle janë të detyrueshme nga shërbimi meteorologjik i qeverisë amerikane dhe, për këtë arsye, përdoren nga FIFA gjatë gjithë Kupës së Botës këtë verë.
Kur konstatohet një goditje rrufeje brenda një rrezeje prej tetë miljesh nga një aktivitet në ambient të hapur, ai aktivitet duhet të ndërpritet menjëherë për 30 minuta.
Tifozëve u kërkohet të gjejnë strehim, ndërsa njerëzit këshillohen të qëndrojnë në ambiente të mbyllura për të paktën 30 minuta pas goditjes së fundit të rrufesë.
Arsyeja pse përdoret një rreze kaq e madhe është se ngarkesat elektrike mund të qëndrojnë ende në re edhe pasi ka ndodhur një goditje rrufeje, ndërsa rreziku i konsiderueshëm mund të shtrihet deri në 10 milje larg.
FIFA ka plane sigurie për rastet e motit ekstrem dhe tre kritere kryesore përdoren për të vendosur kur duhet të ndalen aktivitetet në ambient të hapur: nëse shihet rrufe, nëse dëgjohet bubullimë ose nëse qielli duket “kërcënues”.
Trajneri i Skocisë, Steve Clarke, tha se skuadra e tij është tashmë e përgatitur për mundësinë e vonesave për shkak të motit.
“Duke parë parashikimin për nesër, është e mundur që të ketë ndërprerje për shkak të shiut,” u tha ai gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes.
“Kemi një strategji të menduar se si do ta përballojmë këtë situatë. Natyrisht, nuk e di sa do të zgjasë vonesa. Nëse do të ketë një vonesë, shpresojmë që të jetë e shkurtër. Kemi një plan për t’u përshtatur dhe një ide të qartë se çfarë do të bënim nëse kjo do të na ndodhte”, e mbylli


