Më 27 prill 2026, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nënshkroi Rregulloren (MFPT) Nr. 01/2026 për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës.
Sipas dispozitave të saj, rregullorja hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. Megjithatë, afro dy muaj pas miratimit, zyrtarët e ATK-së vazhdojnë të mos shohin zbatim praktik të saj.
Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi arsyet e nënshkrimit të një akti normativ, i cili, të paktën deri më tani, ka mbetur vetëm në letër. Nëse rregullorja ishte e gatshme për t’u miratuar dhe për të hyrë menjëherë në fuqi, pse nuk po zbatohet? Nëse ekzistojnë pengesa për zbatimin e saj, pse institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë sqarim publik për stafin e ATK-së?
Koha e nënshkrimit të kësaj rregulloreje ngre gjithashtu dyshime të arsyeshme. Dokumenti u nënshkrua pak para periudhës zgjedhore, në një kohë kur aktivitetet politike ishin në fokus të opinionit publik. Për pasojë, shumë zyrtarë të ATK-së kanë krijuar përshtypjen se ky veprim ishte më shumë një mesazh politik sesa një përpjekje reale për përmirësimin e pozitës së tyre profesionale,shkruan Raporto24
Kur një rregullore që prek drejtpërdrejt të drejtat dhe interesat e punonjësve promovohet publikisht, por nuk zbatohet për muaj të tërë, krijohet mosbesim ndaj institucioneve dhe ndaj vetë procesit të vendimmarrjes.
Institucionet publike nuk duhet të prodhojnë akte që mbesin vetëm në letër. Nëse një rregullore nënshkruhet dhe hyn në fuqi, ajo duhet të zbatohet. Në të kundërtën, krijohet përshtypja se vendimet merren për efekt politik dhe jo për të sjellë ndryshime reale për punonjësit e administratës publike.
Zyrtarët e ATK-së meritojnë përgjigje të qarta:
A është në fuqi kjo rregullore? Cilat janë arsyet e moszbatimit të saj? Kush mban përgjegjësi për vonesën? Kur do të fillojë zbatimi i plotë i saj? /Raporto24

Vendim Nr.18 MF-KM Miratohet Rregullorja per Rregullimin e Marredhenies se Punes per Zyrtaret e ATK


