Kolegjiumi i Degëve të LDK-së: Mbështetje për udhëheqjen dhe thirrje për unitet brenda partisë

Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i mbledhur sot në selinë qendrore të partisë, ka shqyrtuar zhvillimet politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.
Në një deklaratë të publikuar pas takimit, Kolegjiumi ka vlerësuar angazhimin e strukturave të partisë gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se LDK ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare në krahasim me zgjedhjet paraprake. Njëkohësisht, është kërkuar një analizë e plotë e rezultatit zgjedhor për të identifikuar mundësitë për përmirësimin e organizimit dhe veprimit politik.
Kolegjiumi ka rikonfirmuar mbështetjen për kryetarin dhe Kryesinë e LDK-së në ushtrimin e përgjegjësive politike e statutore, si dhe në angazhimin për stabilitet institucional dhe përfaqësimin e vlerave të partisë në institucionet e Kosovës.
Në deklaratë thuhet se LDK mbetet e përkushtuar për ndërtimin e institucioneve funksionale, respektimin e rendit kushtetues dhe ofrimin e zgjidhjeve në interes të qytetarëve dhe shtetit.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme në parti, Kolegjiumi ka theksuar se organizimi i LDK-së rregullohet nga Statuti dhe vendimet e organeve legjitime, ndërsa zgjedhjet e rregullta për strukturat drejtuese të partisë do të mbahen gjatë vitit 2027, sipas afateve statutore.
Në fund, Kolegjiumi ka bërë thirrje për unitet të strukturave dhe anëtarësisë së LDK-së, duke kërkuar që angazhimi të përqendrohet në forcimin e mëtejmë të partisë dhe përmbushjen e përgjegjësive ndaj qytetarëve të Kosovës.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU