Gazetari Besnik Krasniqi: Vendimi për mbylljen e Vita-s u mor nga vetë kompania

Gazetari i Kohës, Besnik Krasniqi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me mbylljen e fabrikës së qumështit Vita, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi dhe mënyrën se si kompania ka vepruar.

Sipas Krasniqit, drejtori i Vita-s ka deklaruar se vendimi për mbylljen e fabrikës është marrë nga Bordi i kompanisë, si dhe është vendosur pezullimi i grumbullimit të qumështit nga fermerët deri në përfundimin e procedurave të inspektimit nga institucionet.

Në reagimin e tij, gazetari shtron pyetjen se pse përgjegjësia për mbylljen po i atribuohet institucioneve, kur, sipas deklaratave të vetë drejtuesve të kompanisë, vendimi është marrë nga organet drejtuese të Vita-s.

Krasniqi vlerëson se deklaratat e drejtorit lënë të kuptohet se kompania pret rezultatet e analizave dhe inspektimeve të autoriteteve, gjë që, sipas tij, ngre dyshime lidhur me cilësinë e produkteve.

Ai kritikon gjithashtu pretendimet se inspektorët kanë hyrë në kompani “në mënyrë tinëzare”, duke theksuar se kontrollet inspektuese nuk duhet të paralajmërohen paraprakisht.

Në fund të reagimit, gazetari shprehet se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me rezultatet e inspektimeve, pa u ndikuar nga, siç e cilëson ai, presioni i kompanisë. Sipas tij, mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duhet të jetë prioritet mbi interesat ekonomike të çdo biznesi./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU