E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe miqësinë ndaj SHBA-së, duke deklaruar se nuk njeh asnjë shtet tjetër në botë që është më pro-amerikan se Kosova.
Në manifestimin festiv “Thank You USA”, të organizuar në Prishtinë me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, diplomatja amerikane tha se ndihet e privilegjuar që po e shënon 250-vjetorin e pavarësisë së vendit të saj pikërisht në Kosovë.
“Më 28 korrik bëhen dy vjet që kur kam mbërritur në Kosovë dhe ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që të festoj 250-vjetorin e Pavarësisë Amerikane këtu. Mendoj se jam një nga diplomatët më me fat në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara që pata mundësinë ta festoj këtë përvjetor në Kosovë”, u shpreh Prattipati.
Ajo theksoi se gjatë shërbimit të saj në vende të ndryshme të botës nuk ka hasur në një popull me afërsi më të madhe ndaj SHBA-së sesa qytetarët e Kosovës, raporton EO, transmeton Sinjali.
“Nuk njoh asnjë shtet tjetër në botë – dhe kam shërbyer e jetuar në shumë vende – por Kosova me të vërtetë është shteti më pro-amerikan në botë. Kudo që kaloj, njerëzit më falënderojnë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë dhe kjo më ka prekur thellësisht”, deklaroi ajo.
Prattipati vlerësoi gjithashtu aktivitetet e organizuara në Kosovë për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së, duke i cilësuar ato si dëshmi të një miqësie të sinqertë mes dy popujve.
Diplomatja amerikane rikujtoi edhe mbështetjen e Uashingtonit për shtetformimin e Kosovës, duke theksuar se SHBA-ja e ka parë Kosovën si një partner dhe aleat të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë.
“Po, kemi pasur mosmarrëveshje dhe çështje ku ndonjëherë nuk jemi pajtuar, por në përgjithësi Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bërë aq shumë së bashku. Kemi qenë partnerë, kemi ndarë vlera dhe kemi arritur gjëra të mëdha. Lidhjet tona po bëhen më të forta çdo ditë dhe çdo vit”, tha ajo.
Në fund, Prattipati shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen, falë lidhjeve të ngushta njerëzore dhe kulturore mes dy popujve.
Në këtë aktivitet foli edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk festohet vetëm më 4 Korrik, por përfaqëson një vlerë që nderohet çdo ditë.
“Prishtina dhe Kosova ju duan juve, i duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për vendin tonë”, u shpreh Rama.


