Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një therjeje me thikë që ka ndodhur të dielën mbrëma në Komoran të Gllogocit, për çka Policia e Kosovës ka dhënë detaje në raportin 24-orësh.
Sipas njoftimit, rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Viktimat, tre meshkuj kosovarë, kanë pësuar lëndime trupore pasi dyshohet se janë sulmuar me thikë nga dy persona, të cilët pas incidentit janë larguar në drejtim të panjohur.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Policia ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.


