Arriti marrëveshje për pranim fajësie, Ymer Dragusha dënohet me 2 vjet burgim në rastin që dyshohet se i shkaktoi shtetit dëm prej 37 milionë eurosh

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ymer Dragushës, duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me rastin në të cilin Prokuroria pretendon se buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm prej rreth 37 milionë eurosh.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, pasi Dragusha kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë. Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, me pranimin e fajësisë ai ka marrë statusin e dëshmitarit bashkëpunues në këtë proces.
Dragusha, i cili në kohën e kryerjes së veprave ushtronte detyrën e drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), u shpall fajtor për katër vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për pikën e parë të aktakuzës ai u dënua me një vit burgim, ndërsa për tri pikat e tjera me nga tetë muaj burgim për secilën. Gjykata më pas shqiptoi dënim unik prej dy vjetësh burgim, i cili do të ekzekutohet brenda 15 ditëve nga dita kur aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Po ashtu, Gjykata udhëzoi Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë civile. Dragusha u obligua gjithashtu të paguajë 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave.
Në këtë rast të akuzuar janë edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna, përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, veprimet e tyre dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 37 milionë eurosh.
Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave, ndërsa procedura gjyqësore ndaj tyre vazhdon.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

 

Arriti marrëveshje për pranim fajësie, Ymer Dragusha dënohet me 2 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU