Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka zhvilluar një takim me futbollistin e Bayern Munichut, Arijon Ibrahimoviq.
Takimi vjen në një periudhë kur emri i Ibrahimoviqit po lidhet gjithnjë e më shumë me Kombëtaren e Kosovës, ndërsa pritet që ai të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi publikoi fotografi nga takimi dhe shprehu vlerësime të larta për talentin kosovar.
“Në Prizrenin e bukur, sot pata kënaqësinë të drekoj së bashku me një nga talentet më të mëdhenj kosovarë të futbollit evropian, yllin e Bayern Munich, Arijon Ibrahimoviq.
Përveçse një super futbollist me të ardhme të ndritur, Arijoni është edhe një djalë i edukuar, modest dhe krenar për rrënjët e tij, vlera këto që e bëjnë edhe më të veçantë.
I uroj nga zemra shumë suksese në karrierë dhe jam i bindur se e ardhmja i rezervon atij arritje të mëdha.
Një falënderim i veçantë edhe për familjen e tij, e cila i ka kultivuar dashurinë për atdheun dhe vlerat e Kosovës”, ka shkruar Ademi.
Takimi është parë si një sinjal pozitiv në përpjekjet e FFK-së për ta bindur 19-vjeçarin që ta përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtar, megjithëse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë futbollisti për vendimin e tij.





