Një person ka humbur jetën sot në një vetaksident me traktor në fshatin Gremnik, Komuna e Klinës. Viktima është identifikuar si Ardian Kalludra.
Sipas informacioneve fillestare, Kalludra ka humbur jetën pasi traktori me të cilin po lëvizte është rrokullisur. Ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:55.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore dhe ekipi i mjekësisë ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij vetaksidenti janë duke vazhduar.
Shkruan Gazeta Sinjali.


