Gjykata cakton shqyrtimin fillestar ndaj E. Llapashticës dhe D. Marevcit, kërkohet paraqitja e tyre

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 21 korrik seancën e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale, ndërsa gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të tyre, pasi vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Sipas njoftimit të gjykatës, Endrit Llapashtica akuzohet se, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa ai dhe Dardan Marevci akuzohen veçmas edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata bën të ditur se, bazuar në propozimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, procedura do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në ngritjen e aktakuzës.

Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, u është bërë thirrje edhe qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre t’i njoftojnë Policinë e Kosovës ose institucionet tjera kompetente.

Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 21 korrik 2026, në orën 09:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, objekti D, salla 27, dhe do të drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

Gjykata ka bërë të ditur se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në ueb-faqen e saj dhe në Gazetën Zyrtare, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojë ta informojë opinionin për zhvillimet e mëtejshme në këtë çështje penale.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU