Chelsea po monitoron me kujdes situatën e Enzo Fernandezit, ndërsa spekulimet për një largim të mundshëm të mesfushorit argjentinas vazhdojnë të jenë të pranishme gjatë afatit kalimtar të verës.
Drejtuesit e klubit londinez nuk janë duke kërkuar ta shesin 25-vjeçarin, por mbeten të kujdesshëm për shkak të interesimit që ka ekzistuar nga klubet spanjolle.
Real Madridi vazhdon të mohojë publikisht se do të bëjë ofertë për fituesin e Kupës së Botës, ndërsa burime pranë klubit spanjoll bëjnë të ditur se çmimi i vendosur nga Chelsea, mbi 110 milionë funte, konsiderohet shumë i lartë.
Ndërkohë, në garë për mesfushorin ka hyrë edhe Atletico Madridi, i cili shihet si një destinacion i mundshëm nëse Fernandez vendos të kërkojë largimin nga “Stamford Bridge”.
Pavarësisht kësaj, Chelsea ka filluar të analizojë alternativa për repartin e mesfushës. Në listën e lojtarëve të monitoruar janë Alex Scott i Bournemouthit, Adam Wharton i Crystal Palace dhe Manu Kone i Romës, për të cilin interesim kanë shfaqur edhe Arsenali dhe Manchester Unitedi.
Klubi londinez ka qenë shumë aktiv në tregun e transferimeve këtë verë, duke siguruar transferimin e Morgan Rogers nga Aston Villa për 117 milionë funte. Trajneri i ri, Xabi Alonso, synon ta ketë skuadrën të kompletuar përpara nisjes së sezonit të ri në Premier League.
Përveç situatës së Fernandezit, Chelsea pret interesim edhe për dy sulmuesit Pedro Neto dhe Jamie Gittens.
Drejtuesit e klubit do të shqyrtojnë çdo ofertë që mund të mbërrijë, ndërsa vendimet për largime të tjera do të varen nga zhvillimet e afatit kalimtar.
Chelsea tashmë ka bërë të ditur se është i gatshëm të dëgjojë oferta edhe për Alejandro Garnachon dhe Nicolas Jacksonin, ndërsa merkatoja pritet të jetë vendimtare për formësimin e skuadrës së Xabi Alonsos për sezonin e ri.
KosovaPress


