Klubi nga Irlanda e Veriut, Larne FC, ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të mbrëmshëm në ndeshjen kualifikuese të UEFA Champions League kundër Crvena Zvezda në Inver Park.
Gjatë pjesës së parë, mbi tabelat reklamuese në tribunën McKay është shfaqur një flamur me përmbajtje politike “Kosova është Serbi”.
Klubi zyrtar i Crvena Zvezda në Facebook e ka publikuar foton e flamurit, krenohet dhe falenderon klubin irlandez

Mirëpo klubi irlandez e bëri të ditur se nuk e ka promovuar qëllimisht këtë mesazh përmes një deklarate.
“Larne FC është në dijeni të një fotografie që po qarkullon nga ndeshja e mbrëmshme e UEFA Champions League kundër FK Crvena Zvezda në Inver Park. Gjatë pjesës së parë, një flamur me përmbajtje politike u shfaq mbi tabelat reklamuese në tribunën McKay. Sapo kjo u vu re, stafi i sigurisë së stadiumit reagoi menjëherë për ta hequr flamurin.”
Klubi thekson se mbrëmja ishte historike për ta, duke pritur një klub me madhësinë dhe historinë e Crvena Zvezdës, dhe se kjo nuk duhet të zbehet nga veprimi i një individi.
“Ky individ nuk është tifoz i Larne FC dhe ishte i pranishëm si neutral në tribunën vendase. Si klub, theksojmë edhe një herë që simbolet dhe shfaqjet politike nuk kanë vend në futboll.”
Provokime të tilla janë ndëshkuar më parë nga UEFA.
Vetëm në gusht 2025, klubi polak Lech Poznan u gjobit nga UEFA për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese të Champions League kundër Crvena Zvezdës, mes tyre edhe për një pankartë të madhe me mbishkrimin “Kosovo is Serbia”.
Edhe Partizan Beogradi është ndëshkuar me gjobë për pankarta të papërshtatshme, përfshirë mesazhin “Kosovo is Serbia”.
Larne FC, klub nga NIFL Premiership i Irlandës së Veriut, këtë verë po luan në kualifikueset e Champions League, pasi vitet e fundit ka hyrë në histori si klubi i parë veroirlandez në fazën e grupeve të Conference League.
Deri tani nuk ka njoftim zyrtar nga UEFA nëse do të hapet procedurë disiplinore për rastin e Inver Park, por rregullorja e FIFA/UEFA e ndalon rreptësisht shfaqjen e materialeve politike në stadiume.
KosovaPress


