Kostot e ndërtimit kanë vijuar rritjen e ndjeshme dhe në tremujorin e dytë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke sinjalizuar për një vazhdim të rritjes së çmimeve të apartamenteve. E njëjta tendencë është shënuar dhe për prodhuesit, që po shohin kosto 20.5% më të shtrenjta se në tremujorin e dytë 2021. Ndërsa është ngadalësuar rritja e çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2022, sërish mbeten 10.7% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Kjo tendencë sinjalizon se konsumatorët do të vijojnë të përballen me çmime të larta, pasi kostot e rritura nga bizneset do të transferohen në çmimin final për prodhimet që kanë destinacion tregun vendas, apo për shitjen e apartamenteve.
Kostot e ndërtimit rritje e pandalshme
Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2022 arriti 107,8 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2022 është 6,2%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3%. Tendenca është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe lëndëve të para.
Sipas INSTAT, Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 15,5%, pasuar nga grupet, “Kosto të tjera” me 6,7%, “Shpenzime materiale” me 6,6%, “Shpenzime makinerie” me 4,1%, “Shpenzime për paga” me 2,9% dhe “Shpenzime transporti” me 1,2%. Brenda grupit “ Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi”, shënuan rritjen më të madhe me 7,8%, pasuar nga nëngrupi “Materiale ndërtimi” me 6,9% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 4,7%.