Vaksina kundër gripit sezonal do të arrijë në fund të muajit tetor në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë i ka blerë në fillim të vitit 140 mijë doza të kësaj vaksine përmes UNICEF-it.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë që nga fillimi i vitit i ka kryer pagesat për sigurimin e vaksinëns kundër gripit sezonal
“140 mijë vaksina që pritet të arrijnë në fund të muajit tetor në Kosovë do të shpërndahen në qendrat e vaksinimit e që grupet prioritare që do të vaksinohen janë shtatzënat, të moshuarit, personat me sëmundje kronike. Do të ketë edhe doza pediatrike’’, tha Hoti.
Këtë vit do të fillojë më herët vaksinimit me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga gripi sezonal në sezonin e vjeshtës dhe dimrit, thanë nga Ministria e Shëndetësisë. Vitin e kaluar interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka qenë shumë i madh. Por ato nuk kishin arritur deri në muajin dhjetor, ndërkohë që në barnatore shiteshin prej 17,5 euro.