Kryeministri i Shqiprisë, Edi Rama ka reaguar pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës duke kundërshtuar reagimin evropian se ato ishin paqësore.
Për ShBA-të dhe BE-në, protestuesit që barrikaduan rrugët, e që i ruanin ato, ishin protestues paqësor. Rama ka kërkuar mirëkuptimin e aleatëve, duke thënë se nuk është dakord fare se barrikadat ishin protestë paqësore.
Reagimi i Ramës:
Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë! Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA!
Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!
Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!/Gazeta10