Në orët e para të mbrëmjes së 29 janarit, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, u ngrit zëri në raport me një nga shqetësimet më të mëdha, që është migrimi.
Është pikërisht një lider i një partie opozitaret, Lumi Abdixhiku, ai i cili ndër tjera ka thënë se “Nga bashkëbisedimi me diplomatë të huaj, kuptova se vetëm gjatë vitit 2022, mbi 49 mijë kosovarë janë pajisur me viza pune dhe kanë lëshuar vendin për në Evropë. Pra, çdo ditë e secilën ditë, nga 134 kosovarë e lëshojnë Kosovën. Dhe sot, këtë të diel, janë larguar 134 sosh. Deri në fund të javës do të largohen rreth 1 mijë kosovarë nga vendi!”, ka shkruar ai.
Megjithatë, ikja nga vendi nuk është e ditëve të sotme.
Fatkeqësisht, kjo ka qenë një rrugë e imponuar kaherë në shoqërinë tonë. Ndonëse, dikur krejtësisht për arsye tjera, të njohura për të gjithë ne, paslufta fatkeqësisht nuk e mbylli një rrugë të tillë, përkundrazi, shkruan Raporto24.
Pritjet e mëdha të rinjve të këtij vendi, të cilët në diskursin politik konsiderohen si pasuri kombëtare, u bën edhe zhgënjim i madh.
Niveli i lartë i papunësisë dhe qeverisjet që s’bën dot asgjë t’i mbanin të rinjtë brenda vendit, bën që kjo dukuri të zhvillohet herë më shumë e herë më pak, megjithatë asnjëherë pa ndalur.
Për kujtim të zotit Abdixhiku, kjo dukuri nuk lidhet vetëm me një qeveri dhe as me një parti politike.
Derisa ai thekson se “S’mund të vazhdojmë me popullizmin e pushtetarëve e altoparlantëve të tyre depresiv që veç theqafjen e kanë si përfundim. Refuzojeni këtë mendësi”, i kujtojmë faktin se pikërisht në qeverisjen e LDK-së nga ish-kryeministri Isa Mustafa ndodhi edhe migrimi më i madh, në vitin 2015.
Pamjet e trishta të vitit 2015 ende jetojnë në kujtesën tonë, ato ringjallin momentet e asaj ikje, e cila po zbrazte Kosovën.
Pa asnjë dilemë, se fajtorë për këtë ikje janë të gjitha partitë që nga paslufta qeverisën me vendin. Ato nuk bën asgjë në drejtim të ndalimit të një dukurie të tillë, e aq më pak në drejtim të ndërtimit të së ardhmes brenda vendit.
Në vend se të akuzojmë njëri-tjetrin, se kush më shumë e kush më pak kontribuoi për një dukuri të tillë, më e rëndësishme është që të bëjmë përpjekjet për të gjetur mënyrat që perspektivën ta ndërtojmë brenda vendit dhe jo të vazhdojmë ta kërkojmë atë jashtë kufijve.
Prandaj, valigjet e ikjes nuk do të mbyllen, derisa të hapet perspektiva për të gjithë dhe të ketë mundësi të barabarta, punësim e drejtësi, arsim e shëndetësi për të gjithë, pa dallime partiake.