A u pensionua Messi nga Kombëtarja?

Pavarësisht humbjes së dhimbshme në finalen e Kupës së Botës nga Spanja, Lionel Messi nuk do t’i japë ende fund aventurës së tij me kombëtaren argjentinase.

Sipas raportimeve nga Argjentina, kapiteni i “Albiceleste” do të jetë pjesë e dy ndeshjeve miqësore që kombëtarja do t’i zhvillojë në muajin shtator në tokën argjentinase, përpara tifozëve të saj, përcjell “Gazeta Express”.

Këto sfida pritet të shërbejnë si një homazh për legjendën 39-vjeçare, i cili mund të përshëndetet zyrtarisht me fanellën e Argjentinës në vendin e saj.

Federata Argjentinase e Futbollit po punon që t’i organizojë dy ndeshje festive në Buenos Aires, ku tifozët do ta kenë mundësinë t’ia japin lamtumirën njërit prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të jetë fundi i karrierës së tij me kombëtaren.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar për pensionimin e Messit nga futbolli ndërkombëtar, edhe pse vetë ai e kishte bërë të qartë se Botërori 2026 do të ishte me shumë gjasë i fundit në karrierën e tij.

Pas finales së humbur nga Spanja, Messi i falënderoi tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe e pranoi se plagës së kësaj humbjeje do t’i duhet kohë për t’u shëruar, duke e theksuar krenarinë për rrugëtimin e Argjentinës dhe për gjithçka që kjo gjeneratë ka arritur ndër vite. /Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU