​Abdixhiku: Do të takohem me Kurtin, të shmangim zgjedhjet e jashtëzakonshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku tha se ky do të jetë takimi i parë mes tyre dhe se nuk ka pasur komunikime paraprake mes dy partive. Ai njoftoi gjithashtu se do të kërkojë takime edhe me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për të kuptuar qëndrimet e tyre.

“Kam marrë një ftesë për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese. Ky do të jetë një takim i parë dhe do të provoj të takohem edhe me liderët e partive të tjera politike, për të parë pozicionet e tyre”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se në këtë fazë nuk do të flitet për emra konkretë për kandidat për president, por se do të dëgjohet edhe oferta e kryeministrit në detyrë.

Ai theksoi se duhet të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke i cilësuar ato si të dëmshme për vendin.

“Do të ishte çmenduri politike që Kosova të shkojë edhe një herë në zgjedhje. Duhet të punojmë për krijimin e institucioneve dhe të mos kontribuojmë në një situatë të tillë”, u shpreh Abdixhiku.

Sa i përket zhvillimeve brenda LDK-së dhe kërkesave për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, Abdixhiku tha se deri tani nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim.

“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Nëse do të dorëzohen nënshkrimet sipas rregullave statutare, Kuvendi do të thirret dhe vendimi do të jetë demokratik”, tha ai.

Abdixhiku u zotua se do ta respektojë çdo procedurë statutare, por kërkoi që partia të mos merret me iniciativa që, sipas tij, e ndajnë atë.

“Nismat e njëanshme nuk i bëjnë mirë LDK-së. Një parti serioze duhet të respektojë vendimet e veta”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do të japë dorëheqje pas rezultatit zgjedhor, Abdixhiku tha se nuk e mendon një mundësi të tillë./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU