Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u takua sot me Përfaqësuesen e Lartë dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Në një komunikatë për media pas takimit, Abdixhiku bëri të ditur se diskutimi u përqendrua në zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Takimi me znj. Kallas ishte një mundësi e rëndësishme për të përcjellë qëndrimet e LDK-së rreth nevojës për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa nuk po e godasin vetëm qeverinë, por mbi të gjitha, po i dëmtojnë qytetarët tanë”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e një qasjeje të re politike në vend për të përballuar krizën aktuale institucionale, duke prezantuar idenë e LDK-së për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.
“Njoftova znj. Kallas për krizën politike që po kalon Kosova dhe i prezantova propozimin tonë për një qeveri gjithëpërfshirëse, si e vetmja zgjidhje funksionale në këtë moment”, theksoi ai.
Në përfundim të deklaratës, Abdixhiku ritheksoi përkushtimin e LDK-së ndaj integrimit euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se ky proces kërkon vizion të përbashkët, vendimmarrje të guximshme dhe mbështetje konkrete nga Bashkimi Evropian.
Vizita e znj. Kallas në Prishtinë shënon një tjetër hap të rëndësishëm në dialogun mes Kosovës dhe institucioneve evropiane, në një kohë kur vendi përballet me sfida të shumta të brendshme dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/