Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e FFK-së drejtorin e Federatave të Evropës në FIFA, z. Elkhan Mammadov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e inaugurimit të fushës “FIFA Arena” në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.
Gjatë takimit, Ademi e ka falënderuar Mammadovin për mbështetjen e vazhdueshme që ai personalisht, por edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i japin Federatës së Futbollit të Kosovës dhe zhvillimit të futbollit në vend.
Projekti “FIFA Arena”, sipas Ademit, është një iniciativë shumë e rëndësishme e FIFA-s, e cila synon krijimin e hapësirave moderne dhe të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë, duke u mundësuar atyre të luajnë futboll dhe të zhvillojnë talentin e tyre.
Nga ana tjetër, z. Mammadov e ka përgëzuar kryetarin e FFK-së për sukseset e arritura gjatë këtij viti, veçanërisht për kualifikimin e Kombëtares së Kosovës në “play-off”. Ai ka shprehur urimin që edhe dy ndeshjet e muajit mars të përmbyllen me sukses dhe Kosova për herë të parë të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës./Raporto24





