​Argjentina siguron njeriun e suksesit

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, pritet të vazhdojë në krye të kampionëve të botës edhe për disa vite të tjera, pasi ka arritur një marrëveshje verbale me Shoqatën Argjentinase të Futbollit (AFA) për rinovimin e kontratës deri në vitin 2031.

Sipas gazetarit Diego Monroig të ESPN Mundial, AFA e konsideron Scalonin figurën ideale për të udhëhequr kombëtaren në ciklin e ardhshëm të Kupës së Botës dhe synon ta mbajë atë në detyrë për një periudhë sa më të gjatë. “Ka pasur takime mes përfaqësuesve të Scalonit dhe AFA-s para mbërritjes së ekipit në Shtetet e Bashkuara. Mund të them se ekziston një marrëveshje verbale që Scaloni të vazhdojë si trajner deri në vitin 2031”, deklaroi Monroig.

Megjithatë, tekniku argjentinas nuk dëshiron që çështja e kontratës të ndikojë te skuadra gjatë Kupës së Botës 2026. “Tani trajneri dëshiron të përqendrohet vetëm te turneu dhe nuk dëshiron të flitet për vazhdimësinë e tij. Pas Kupës së Botës do të rifillojnë kontaktet për ta zyrtarizuar marrëveshjen”, shtoi gazetari.

Scaloni, i cili mori drejtimin e Argjentinës në vitin 2018, do të festojë së shpejti ndeshjen e tij të 100-të në krye të kombëtares. Në 99 takime ai ka regjistruar 72 fitore, 18 barazime dhe vetëm nëntë humbje, ndërsa ka fituar Kupën e Botës 2022, Copa America në vitet 2021 dhe 2024, si dhe Finalissima 2022, duke u shndërruar në një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të Argjentinës.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU