Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, sot hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqi, kanë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet.
Bazuar në hetimet e deritanishme, personat e arrestuat dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur vetura me qira për të kryer veprimtarinë kriminale.
Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingjet e restoranteve gjatë kohës kur zhvilloheshin ahengje, organizime familjare, ku kanë lëvizur nëpër parkingje duke identifikuar automjete të pambyllura, nga ku dyshohet të kenë vjedhë para dhe sende të tjera me vlerë.
Nga hetimet e zhvilluara deri më tani, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por kanë kryer vepra penale të së njëjtës natyrë edhe në rajone të tjera të Kosovës.
Aktualisht hetuesit policor të Obiliqit në koordinim me njësitë të hetimeve të të gjitha rajoneve të Kosovës si dhe prokurorinë, po vazhdojnë veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rasteve.
Me vendim të prokurorit, tre personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.


