Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Arton Konushevci, ka zhvilluar një vizitë në odën e Nebih Balajt, një nga simbolikat e ruajtjes së traditës dhe historisë së odave llapjane.
Së bashku me kandidatin për deputet Andin Hoti, Konushevci tha se atmosfera në këtë odë të mbushur me histori dhe kujtime kombëtare rikthen në vëmendje sakrificën e brezave që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
“Në odën llapjane, ku trarët e shtëpisë bartin peshën e historisë dhe muret ruajnë jehonën e betimeve, na u duk sikur gjatë bisedave po na dëgjonte edhe e kaluara”, ka shkruar Konushevci.
Ai ka theksuar se figurat e shquara kombëtare, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Adem Demaçi, mbeten frymëzim i përhershëm për brezat e sotëm, duke kujtuar se liria dhe shteti janë ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve.
Konushevci ka nënvizuar se përgjegjësia e brezit të sotëm është të veprojë në përputhje me amanetin e të rënëve për liri.
“Sot jemi gjallë falë të rënëve, andaj veprat tona duhet të jenë në sinkron me amanetin e tyre”, ka deklaruar ai.
Vizita në odën e Nebih Balajt u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, ku kandidatët po takojnë qytetarë dhe familje që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e traditës dhe vlerave kombëtare./Raporto24/






Konushevci nga oda llapjane: Historia dhe amaneti i të rënëve na obligojnë për të ardhmen





