Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka përjashtuar mundësinë që Granit Xhaka të largohet nga klubi gjatë kësaj vere, duke i dhënë fund zërave për një transferim të mundshëm te Chelsea.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ishte lidhur me një kalim te “Blutë” e Londrës, por Le Bris ka insistuar se kapiteni i tij është i përkushtuar ndaj Sunderlandit dhe projektit të klubit.
“Jo, kjo temë është mbyllur. Ai ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij. Ai e do Sunderlandin, dëshiron të qëndrojë në Sunderland. Ai dëshiron të krijojë të ardhmen e Sunderlandit. Ai është një kapiten i mirë. Udhëheqës i shkëlqyer”, ka deklaruar Le Bris.
Sipas raportimeve të mediave angleze, Chelsea kishte paraqitur një ofertë prej 8 milionë funtesh për Xhakën, por ajo ishte refuzuar menjëherë nga Sunderland, i cili nuk ka synim të ndahet me një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar dhe luajti një rol të madh në suksesin e klubit, duke ndihmuar ekipin të siguronte pjesëmarrjen në Europa League. Ai ka kontratë deri më 30 qershor 2028.
Sezonin e kaluar, 33-vjeçari zhvilloi 34 paraqitje në Premier League, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar gjashtë asistime. Përvoja e tij në elitë, pas periudhave te Arsenali, Borussia Mönchengladbach dhe Bayer Leverkusen, konsiderohet një vlerë e madhe për Sunderlandin/Raporto24/





