Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj B.B. dhe A.M. nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarit për viktimat e viteve 1912–1945 në fshatin Samadraxhë të Suharekës.
Sipas aktakuzës, B.B., në cilësinë e drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës dhe menaxherit të kontratës, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke autorizuar një pagesë prej 5 mijë eurosh për operatorin ekonomik “A.G.” Sh.P.K., ndonëse punimet nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe nuk ishte paraqitur kërkesë për kolaudim apo ndryshim të punimeve.
Prokuroria thekson se, si pasojë e këtyre veprimeve, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material prej 5 mijë eurosh, i konfirmuar edhe përmes ekspertizës së ndërtimtarisë.
Në të njëjtën aktakuzë, A.M., person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., akuzohet se ka pranuar pagesën prej 5 mijë eurosh, megjithëse punimet e kontraktuara nuk ishin realizuar sipas specifikimeve teknike, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme mjete publike.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.





