Drita ka hyrë në histori si skuadra e parë nga Kosova që kalon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampioni i Kosovës arriti këtë sukses historik pas dy fitoreve ndaj ekipit nga Luksemburgu, Differdange 03.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Kosovë, Drita triumfoi me rezultat minimal 1-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Luksemburg, ata siguruan edhe një fitore të madhe me rezultat 3-2, duke kaluar më tej me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Ky sukses i jep skuadrës kosovare një përballje të madhe në raundin e dytë, ku Drita do të sfidohet nga gjiganti danez FC Copenhagen.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 22 korrik në Danimarkë, në stadiumin e njohur “Parken”, i cili ka një kapacitet prej 38 mijë ulësesh. Përballja e kthimit do të luhet një javë më vonë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra daneze ka reaguar menjëherë pas fitores së Dritës, duke i kushtuar një artikull të gjatë dhe të detajuar ekipit nga Kosova dhe duke zbuluar informacione për organizimin e ndeshjes së parë në shtëpinë e tyre.
“FC Copenhagen do të përballet me FC Dritën nga Kosova në raundin e dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve. FC Drita fitoi 1-0 në shtëpi në ndeshjen e parë kundër FC Differdange, dhe sonte fituan 3-2 në ndeshjen e kthimit në Luksemburg”.
“Kjo është hera e parë që përballemi me një ekip nga Kosova, dhe do t’i hedhim një vështrim më të afërt kampionëve kombëtarë nga FC Drita ndërsa i afrohemi ndeshjes së parë”.
“Do të fillojmë në shtëpi në Parken të martën, më 22 korrik, në orën 19:00, dhe do të luajmë ndeshjen e kthimit në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë të martën, më 29 korrik, por ora e fillimit të ndeshjes nuk është përcaktuar ende”.


