Talenti i ri i pingpongut kosovar, Denat Makolli, ka arritur një sukses të madh në arenën ndërkombëtare duke siguruar medaljen e parë të këtij lloji për Kosovën në turneun WTT Youth Contender, një garë prestigjioze e nivelit botëror.
Denati, që përfaqëson Klubin Priping, ka treguar formë të jashtëzakonshme në këtë turne, duke e bërë krenar jo vetëm klubin e tij dhe trajnerin Milot Makolli dhe Kryetar Kastriot Orana por të gjithë sportdashësit kosovarë.
Pas dy fitoreve të rëndësishme sot, ai është plasuar në gjysmëfinale, pasi mposhti me rezultat të pastër 3:0 lojtarin bullgar Pavel Pavlov, ndërsa në meçin e dytë triumfoi 3:1 kundër kampionit të Malit të Zi, Uros Merkajic.
Të dielën, Denati do të përballet në gjysmëfinale me lojtarin serb Bence Namestovski, ku një fitore do ta çonte në finalen e madhe të turneut.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për sportin kosovar, që dëshmon talentin, përkushtimin dhe punën e vazhdueshme të të rinjve që po e përfaqësojnë vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Urime Denatit dhe shumë suksese në gjysmëfinale – Kosova është me ty! 🇽🇰🏓/Raporto24/






