​Dëshmitari i incidentit në Magurë: Fillimisht erdhën me kërcënime, më pas u kthyen të armatosur

Dëshmitari rrëfen përleshjen në Magurë: Pretendon se të dyshuarit kishin ardhur të përgatitur dhe kërkon drejtësi për veteranin e UÇK-së

Para vendimit të Gjykatës në Lipjan për rastin ndaj veteranit dhe invalidit të luftës së UÇK-së, Bekim Metaj, dhe fqinjit të tij Skender Shahini, lidhur me incidentin në Magurë të Lipjanit, ka folur dëshmitari dhe bashkëfshatari i tyre, Albert Abdullahu.

Abdullahu ka deklaruar për KosovaPress se, sipas tij, personat e dyshuar për incidentin kishin përdorur mjete të forta dhe kishin shkuar fillimisht te shtëpia e Bekim Metës me kërcënime. Ai tha se pas një varrimi familjar, ata ishin kthyer sërish në fshat, ku më pas kishte ndodhur përleshja.

Sipas dëshmitarit, fillimisht kishte pasur një përplasje verbale, ndërsa më pas situata kishte eskaluar.

“Kanë ardhur me kërcënime dhe më pas janë kthyer pas dy ditësh. Nga aty ka nisur përleshja”, ka deklaruar Abdullahu.

Ai pretendoi se gjatë incidentit ishin përdorur edhe armë zjarri dhe se personat e përfshirë, sipas tij, kishin qenë të përgatitur paraprakisht.

Abdullahu tha se pas incidentit disa persona ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa disa të tjerë ishin ndaluar menjëherë ose më vonë.

Ai gjithashtu pretendoi se disa prej të dyshuarve ishin strehuar në një shtëpi në afërsi të vendit të ngjarjes, duke thënë se aty dyshohej se kishin pasur armë dhe mjete të tjera.

Sipas tij, personat e dyshuar kishin ardhur në Magurë për një varrim familjar, pasi jetojnë jashtë Kosovës.

Abdullahu theksoi se komuniteti në Magurë vazhdon ta mbështesë Bekim Metën dhe kërkoi që drejtësia të zbardhë rastin.

“Ne e respektojmë shumë Bekim Metën, jemi rritur me të dhe kërkojmë që shteti të marrë masa për këtë rast”, u shpreh ai.

Vendimi i Gjykatës në Lipjan për rastin e Skender Shahinit dhe veteranit Bekim Metaj pritet të merret së shpejti.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU