Dyshohet për falsifikim dhe keqpërdorim në tendera, arrestohet

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policia e Kosovës, është arrestuar një person i dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në një aktivitet të prokurimit publik, si dhe për falsifikim dokumentesh.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë zhvilluar nga Departamenti për Krime të Rënda, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas dyshimeve për parregullsi në një procedurë prokurimi që lidhet me furnizime për Policinë e Kosovës.

I dyshuari, me inicialet N.R., po hetohet për veprat penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik” sipas nenit 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve” sipas nenit 390 të KPRK-së.

Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në masën e ndalimit për 48 orë.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik, duke paralajmëruar vazhdimin e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU