Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar në mbajtje 24 orë një të mitur, i dyshuar për një sulm me thikë ndaj dy personave, ngjarje kjo që ndodhi të premten në mëngjes në qendër të këtij qyteti.
I riu do të hetohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”, të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës pasi pak para orës 8, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë Postës Qendrore në Ferizaj, dyshohet, sipas të dhënave fillestare, se ka goditur me mjet të mprehtë dy persona.
Pas incidentit, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë është lokalizuar nga policia.
Për rastin e rëndë që shqetësoi qytetarët, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë me procedurat dhe veprimet e mëtejshme ligjore për zbardhjen e plotë të tij. /KosovaPress/


