Një ngjarje e pazakontë ndodhi të mërkurën në New York, ku dy persona u ngjitën në majë të ndërtesës ikonike Empire State Building, duke shpalosur një banderolë me një mesazh për paqen dhe dashurinë.
Sipas pamjeve të publikuara nga vendngjarja, dy personat mbanin maska dhe duket se u fejuan në majë të ndërtesës 443 metra të lartë.
Në banderolën që ata shpalosën shkruhej: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen.”
Ende nuk është e qartë se si ata arritën të ngjiteshin në majën e një prej ndërtesave më të famshme në botë.
Policia e New Yorkut (NYPD) bëri të ditur se ka nisur një hetim për incidentin, i cili ndodhi rreth mesditës në ndërtesën që ndodhet në Fifth Avenue. Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të lënduar.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe një video nga njëri prej personave, e filmuar në platformën pranë majës së Empire State Building.
Pas incidentit, dhjetëra efektivë të policisë, përfshirë njësitë e specializuara të Njësia e Shërbimeve Emergjente, u angazhuan në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të hetuar mënyrën se si u realizua ky veprim.


