Familja u kthye nga Gjermania, gjen të vjedhur armën me leje në shtëpinë e tyre në Deçan

Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në fshatin Irzniq të Deçanit, ku një familje ka konstatuar mungesën e një arme zjarri pasi ishte kthyer nga Gjermania.

Burime të besueshme bëjnë me dije se ankuesi, V. Ç, ka raportuar në Polici se më 6 qershor 2026, rreth orës 10:00, pasi kishte shkuar në shtëpinë e tij bashkë me familjarët, kishte vërejtur se mungonte një armë të cilën e posedonte me leje të rregullt.

Sipas informacioneve të siguruara, familja kishte ardhur nga Gjermania më 4 qershor, ndërsa gjatë kontrollit të shtëpisë është konstatuar se mungonte një pistoletë e tipit ZVS P21, prodhim sllovak, kalibër 9 milimetra.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe krimteknikët, të cilët gjatë ekzaminimit kanë konstatuar se personi apo personat e dyshuar kishin depërtuar në objekt pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëme materiale.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti si “Vjedhje e rëndë”.

Policia po zhvillon hetime për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë kryer vjedhjen.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU