​FIFA prezanton teknologji të re për pozicionin jashtë loje në Botërorin 2026

FIFA ka konfirmuar se në Kampionatin Botëror 2026 do të përdoret një version i avancuar i teknologjisë gjysmë të automatizuar për pozicionin jashtë loje, me synimin që vendimet të merren më shpejt dhe të shmangen ndërprerjet e panevojshme të lojës.

Sistemi i ri do t’u dërgojë asistentëve të arbitrave një sinjal në kohë reale kur një futbollist ndodhet më shumë se 10 centimetra në pozitë jashtë loje. Kjo do t’u mundësojë atyre të ngritin flamurin më herët në rastet e qarta, në vend që të presin përfundimin e aksionit, siç ka ndodhur shpesh gjatë epokës së VAR-it.

Sipas FIFA-s, teknologjia synon të reduktojë frustrimin e lojtarëve dhe tifozëve, si dhe të ulë rrezikun e lëndimeve që mund të ndodhin kur loja vazhdon edhe pse ekziston një pozicion i qartë jashtë loje.

Megjithatë, vendimi përfundimtar do të mbetet në duart e arbitrave. Ata do të kenë të drejtën të injorojnë sinjalin nëse dyshojnë për ndonjë problem teknik ose nëse situata kërkon interpretim shtesë. Teknologjia nuk mund të vendosë për rastet shumë të afërta të ofsajdit dhe as për situatat subjektive, siç janë ato kur duhet të vlerësohet nëse një lojtar ka ndikuar në kundërshtarin pa prekur topin.

Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa FIFA e konsideron këtë sistem si një hap tjetër drejt rritjes së saktësisë dhe efikasitetit të gjykimit në futboll.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU