FIFA po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në ekzekutimin e penalltive, i cili pritet të zbatohet gjatë fazës eliminatore të Kupës së Botës.
Sipas propozimit të ri, procesi do të thjeshtohet duke u bazuar në vetëm një hedhje monedhe, shkruan IndeksOnline.
Ekipi që fiton shortin do të ketë të drejtën të zgjedhë mes dy opsioneve: të ekzekutojë penalltinë e parë ose të përcaktojë portën ku do të zhvillohet seria e penalltive.
Nga ana tjetër, skuadra humbëse e shortit do të marrë automatikisht opsionin e mbetur.
Aktualisht, në shumicën e garave ndërkombëtare zhvillohen më shumë procedura para fillimit të serisë së penalltive, përfshirë përcaktimin e portës dhe ekipit që gjuan i pari. Me rregullin e ri, FIFA synon ta bëjë procesin më të shpejtë dhe më efikas.
Mbetet të shihet nëse ky propozim do të miratohet përfundimisht dhe si do të ndikojë në dinamikën e penalltive në fazat vendimtare të Kupës së Botës./IndeksOnline/


