FIFA publikon shifrat e Kupës së Botës 2026: Turneu më i madh në histori me mbi 6.8 milionë tifozë

FIFA ka publikuar statistikat zyrtare të Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar atë si ngjarjen më të madhe sportive të organizuar ndonjëherë.

Turneu u zhvillua për 39 ditë në tri shtete – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë – me 104 ndeshje, 16 qytete pritëse dhe 48 baza ekipesh. Në garë morën pjesë 1.248 futbollistë, ndërsa ndeshjet u ndoqën nga mbi 6.8 milionë tifozë në stadiume.

Sipas FIFA-s, organizimi i kampionatit përfshiu 645 lokacione zyrtare në gjithë Amerikën e Veriut dhe afro 300 mijë persona të akredituar që kontribuuan në mbarëvajtjen e turneut.

Mbi 43 mijë vullnetarë, 73.700 zyrtarë të sigurisë dhe rreth 2.500 punonjës të FIFA-s nga 104 vende u angazhuan gjatë turneut. Vetëm në sektorin e sigurisë u realizuan më shumë se një milion ndërrime pune, ndërsa sistemet e akreditimit regjistruan mbi pesë milionë skanime.

Në aspektin logjistik, gjatë turneut u kryen mbi 11.337 transporte të ekipeve, ndërsa për stadiumet dhe qendrat stërvitore u përdorën rreth 300 mijë metra katrorë bar i kultivuar posaçërisht.

Edhe konsumi i ushqimeve dhe pijeve shënoi shifra rekord. Në stadiume u shitën afro 675 mijë hot dogë, mbi 4.6 milionë pije freskuese dhe ujë mineral, si dhe më shumë se 5.5 milionë birra.

Interesimi i tifozëve nuk u kufizua vetëm në stadiume. Mbi 9 milionë persona vizituan FIFA Fan Festival-et në Amerikën e Veriut, ndërsa tifozët morën informacione për udhëtimin përmes më shumë se 2.3 milionë mesazheve në WhatsApp dhe 7.7 milionë e-mailave.

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, tha se këto shifra tregojnë përmasat e organizimit të turneut më të madh sportiv në histori.

“Çdo numër përfaqëson përkushtim, bashkëpunim dhe inovacion. Nga pritja e tifozëve dhe përgatitja e fushave, te mbështetja e ekipeve, siguria dhe transmetimi i ndeshjeve për miliarda shikues në mbarë botën, njerëzit në gjithë Amerikën e Veriut vendosën standarde të reja në sportin global”, u shpreh ai.

FIFA thekson se këto statistika janë paraprake dhe se të dhëna të tjera do të publikohen gradualisht në faqen zyrtare të organizatës/Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU