Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e konkurseve të bukurisë në Honduras, pasi është ndarë nga jeta në moshën 23-vjeçare Wallis Fuentes Aquino, finaliste e konkursit Miss Universe Tegucigalpa, transmeton Raporto24.
E reja u gjet pa shenja jete në banesën e saj në Tegucigalpa, pasi familjarët, të cilët nuk kishin arritur të komunikonin me të për disa ditë, shkuan për ta kontrolluar dhe bënë zbulimin tragjik.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes. Deri më tani nuk është bërë i ditur shkaku zyrtar, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, përfshirë një shkak natyror apo patologjik, por edhe mundësinë e një vepre penale.
Vdekja e saj u konfirmua edhe nga organizata Miss Universe Tegucigalpa, e cila publikoi një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale. Aquino kishte zënë vendin e dytë në edicionin e këtij viti të konkursit, duke u renditur mes emrave më premtues në garën drejt Miss Universe Honduras.
Në reagimin e tyre, organizatorët shprehën dhimbjen e thellë për humbjen e 23-vjeçares, duke e kujtuar si një vajzë të dashur, të përkushtuar dhe gjithmonë të gatshme për të mbështetur konkurrentet e tjera.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka shkaktuar pikëllim të madh te familjarët, miqtë dhe komuniteti i konkurseve të bukurisë në Honduras.


