Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar me sukses ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01”, në kuadër të përpjekjeve për ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve operacionale të saj.
Në këtë aktivitet morën pjesë Komanda e Forcave Tokësore dhe njësi të kombinuara, përfshirë togun e IVR-së, Kompaninë Mbështetëse të Regjimentit të Mbrojtjes së Lëvizshme (RML), si dhe togje nga Komanda e Logjistikës dhe Policia Ushtarake.
Ushtrimi u zhvillua në zonat e Aeroportit të Gjakovës dhe Babaj të Bokës, ku pjesëmarrësit testuan aftësitë e tyre në kushte të ngjashme me operacionet reale.
Sipas FSK-së, qëllimi kryesor i ushtrimit ishte validimi i aftësive operacionale të njësive, rritja e gatishmërisë luftarake, forcimi i koordinimit ndërmjet strukturave të ndryshme ushtarake dhe zhvillimi i kapaciteteve për përmbushjen e detyrave në përputhje me standardet më të larta profesionale.
Ky ushtrim konsiderohet një hap i rëndësishëm në përgatitjen dhe avancimin e vazhdueshëm të forcave të sigurisë, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit dhe gatishmërisë së tyre për misionet e ardhshme.



