No menu items!

Gjermania pranon draftstatutin e Ramës për Asociacionin, s’e komenton përmbajtjen

Gjermania tashmë ka konfirmuar se ka pranuar propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, por që nuk ka komentuar përmbajtjen e tij.

“Ne mund të konfirmojmë marrjen e një dokumenti të tillë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se nuk duam të komentojmë përmbajtjen konfidenciale”, tha për Kosova Online zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

Rama njoftoi dje se i ka dërguar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një propozim për draftstatutin e Bashkësisë së Komunave Serbe, duke shtuar se nuk e kupton ngurrimin e autoriteteve të Kosovës për të depërshkallëzuar situatën në veri, e cila “po merr përmasat e një tragjedie politike për Kosovën”.

Rama tha se ky draft është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë dhe sipas tij, është bërë në rast se do vinte kjo ditë kur siç shprehet ai, palët nuk po arrijnë të merren vesh assesi.

E për draftin që ia dorëzoi Macronit dhe Scholzit, Rama thotë se nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por siguron që është dokument i nivelit të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit.

Rama tha se për këtë dokument e ka vënë “në dijeni edhe palën amerikane”.

Megjithatë, ai tha se është i bindur se ky draft-statut është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Rama, po ashtu, tha se është i shqetësuar për situatën, në të cilën ndodhet Kosova dhe ai nuk dëshiron që situata të përkeqësohet edhe më tej apo të vendosen sanksione ndaj Prishtinës.

“Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar”, shtoi Rama.

Kujtojmë se Ekipi Menaxhues për themelimin e Asociacionit, i cili është i autorizuar me Marrëveshjen e Brukselit për hartimin e Statutit, ka paraqitur propozimin e tij gjatë raundit të fundit të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel.

Ai propozim, megjithatë, nuk u miratua nga Qeveria e Kosovës, që vetëm një ditë më vonë shkarkoi Ekipin Menaxhues.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.