Gjini: AAK e gatshme të kontribuojë në krijimin e institucioneve, por kërkon zotim me shkrim për gjashtë kërkesa

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por vetëm nëse ka një zotim të qartë dhe me shkrim për realizimin e kërkesave që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

Gjini, në një konferencë për media, tha se AAK nuk ka kërkesa personale dhe nuk synon pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme.

Ai paraqiti gjashtë kërkesa, ndër të cilat përmendi mbështetjen e projektit amerikan të gazit, nisjen e procedurave për ndërtimin e termocentralit, përdorimin e thëngjillit, rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimin e tokave të punuara nga tatimi në pronë dhe buxhetimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Gjini tha se këto masa do të ndikonin në zhvillimin ekonomik, rritjen e prodhimit vendor dhe uljen e inflacionit.

Duke folur për mundësinë që Ramush Haradinaj të kandidojë për president, Gjini tha se Kosova nuk do të kishte president më të mirë se ai, por theksoi se kjo nuk është kusht për mbështetjen e institucioneve.

“Ne nuk duam ta bllokojmë vendin. Jemi të gatshëm ta bëjmë kuorumin dhe nuk kemi asnjë kusht vetjak”, tha Gjini.

Ai shtoi se çështjet se kush do të zgjidhet i pari, presidenti apo Kuvendi, si dhe nëse presidenti duhet të jetë partiak apo jopartiak, nuk duhet të jenë tema kryesore në këtë moment.

Sipas tij, prioritet duhet të jetë krijimi i institucioneve dhe zgjidhja e problemeve të qytetarëve.

Gjini mohoi se AAK ka marrë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për koalicion, duke thënë se edhe nëse një ftesë e tillë do të vinte, Aleanca nuk do të pranonte pa një marrëveshje të qartë për realizimin e kërkesave të saj.

Ai tha se AAK është e gatshme të takohet edhe me partitë tjera politike, por jo për interesa personale.

“Ne nuk do ta bëjmë këtë vetëm pse një person dëshiron të bëhet kryeministër apo president. Do ta bëjmë vetëm nëse ka një zotim të pastër dhe të shkruar”, deklaroi Gjini.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU