Gjini kritikon VV-në: Kosova është në tren të gabuar me këta njerëz

Në ditën e tetë të fushatës zgjedhore, Aleanca ka mbajtur tubim zgjedhor në Pejë, ku kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kandidatët për deputetë kërkuan mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, tha se Kosova po kalon një periudhë të vështirë zhvillimi dhe se vendit i nevojitet një ndryshim i kursit politik.

“Kosova me të vërtetë është duke kaluar ditë të vështira dhe një periudhë sfiduese të zhvillimit të saj. Iniciativa e qytetarëve është ngulfatur nga një qeverisje që mendon se duhet të jetë mbi gjithçka dhe mbi të gjithë. Kjo qasje po pengon zhvillimin, po mbyt iniciativën dhe nuk po i lejon njerëzit të përparojnë”, tha Gjini.

Ai përmendi edhe projektet infrastrukturore, duke thënë se qytetarët nuk kanë nevojë për premtime të reja, por për realizimin e projekteve konkrete.

“Pejë, a doni edhe katër vjet të tjera të flasim për të njëjtat projekte apo doni t’i përfundojmë ato? Nëse vazhdohet si herën e kaluar, do të vazhdojmë të flasim edhe katër vjet të tjera pa ndodhur asgjë”, deklaroi ai.

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, Gjini tha se Kosova ndodhet në një “tren të gabuar”, duke theksuar se vendi ka nevojë për një drejtim të ri.

“Të gjithë popujt kanë momentet e tyre kur vendosin të ndryshojnë drejtim. Kosova është në një tren të gabuar dhe, përderisa vazhdon në këtë drejtim, të gjitha stacionet do të jenë të gabuara. Është koha të zbresim nga ky tren dhe të zgjedhim rrugën e duhur”, u shpreh Gjini.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Aleancën dhe kandidatët e saj, duke theksuar se vetëm përmes një ndryshimi politik mund të hapet një perspektivë e re zhvillimi për Kosovën.

Ndërkaq, para qytetarëve pejanë foli edhe Ramush Haradinaj, i cili shprehu mbështetjen e tij për Ardian Gjinin, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për të udhëhequr vendin në këtë periudhë.

“Po vij i lumtur para jush, ashtu siç isha i lumtur ditën kur u ktheva nga Haga. E kemi njeriun që na prin dhe ai është Ardian Gjini. Ai është i përgatitur për këtë kohë dhe për sfidat që ka vendi. Ka njohuri të thella, përvojë në qeverisje dhe një vizion të qartë për të ardhmen”, tha Haradinaj.

Sipas tij, Gjini dallon për modestinë dhe përkushtimin ndaj punës, duke shtuar se vlerat e tij shpesh nuk vihen mjaftueshëm në pah pikërisht për shkak të natyrës së tij të qetë.

“Ardiani nuk bën zhurmë dhe nuk vetëlavdërohet. Ai është një njeri që flet përmes punës dhe rezultateve. Pikërisht kjo e bën atë të veçantë dhe të përshtatshëm për përgjegjësitë që kërkon kjo kohë”, tha Haradinaj.

Tubimi në Pejë ishte pjesë e aktiviteteve të Aleancës në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU